Ligji për Përmbarimin Privat

LIGJ
Nr. 10 031, datë 11.12.2008

PËR SHËRBIMIN PËRMBARIMOR GJYQËSOR PRIVAT

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj ka si objekt të përcaktojë mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat, kriteret që duhet të përmbushin shtetasit për të ushtruar detyrën e përmbaruesit gjyqësor privat, statusin, masat disiplinore, detyrat, përgjegjësitë, tarifat, si dhe marrëdhëniet me institucionet shtetërore dhe me subjektet e tjera publike dhe private.

Neni 2
Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për përmbaruesit gjyqësorë privatë, që kryejnë veprimet e tyre procedurale për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, Kodit Civil, akteve të tjera ligjore dhe nënligjore, si dhe për subjektet e tjera private dhe shtetërore, që përfshihen në procesin e ekzekutimit.

Neni 3
Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor

Shërbimi Përmbarimor në Republikën e Shqipërisë organizohet në Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror, sipas ligjit nr.8730, datë 18.1.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor” dhe në Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat.
Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat rregullohet sipas këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore.

KREU II
SHËRBIMI PËRMBARIMOR GJYQËSOR PRIVAT

Neni 4
Subjektet që ushtrojnë Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat

Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat ushtrohet nga persona fizikë, të licencuar sipas dispozitave të këtij ligji.
Një ose më shumë përmbarues gjyqësorë privatë, për të ushtruar veprimtarinë e tyre, mund të organizohen në një shoqëri tregtare, parashikuar nga legjislacioni në fuqi.
Vetëm përmbaruesit gjyqësorë të licencuar mund të jenë ortakë, aksionarë ose administratorë të një shoqërie përmbaruese private.
Përmbaruesit gjyqësorë privatë dhe shoqëritë përmbaruese private duhet të regjistrohen në Ministrinë e Drejtësisë, siç parashikohet në këtë ligj.

Neni 5
Funksioni publik i Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat

Për efekt të këtij ligji, Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat është një funksion i pavarur me karakter publik, i cili ushtrohet nga përmbaruesit gjyqësorë privatë dhe shoqëritë përmbaruese private.
Përmbaruesit gjyqësorë privatë ose shoqëritë përmbaruese private, në ushtrimin e funksioneve të tyre, i nënshtrohen zbatimit të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, Kodit Civil dhe ligjeve të tjera për ekzekutimin e titujve ekzekutivë.

Neni 6
Statusi ligjor i përmbaruesit gjyqësor privat

Përmbaruesi gjyqësor privat kryen dhe mban detyrën në emër të tij dhe nën përgjegjësinë vetjake. Vetëm personat e licencuar, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në këtë ligj mund të kryejnë procedura ekzekutimi brenda funksionit të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat.

Neni 7
Juridiksioni territorial i Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat

Përmbaruesi gjyqësor privat ose shoqëritë përmbaruese private ushtrojnë funksionet e tyre procedurale përmbarimore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 8
Papajtueshmëritë

Përmbaruesi gjyqësor privat nuk mund të ushtrojë funksione publike, të praktikojë profesionin e noterit, avokatit ose çdo profesion tjetër, i cili është i papajtueshëm me ushtrimin e paanshëm të profesionit të tij.
Shoqëritë përmbaruese private duhet të kenë si objekt të veprimtarisë së tyre tregtare vetëm ekzekutimin e titujve ekzekutivë.

Neni 9
Konflikti i interesit

Përmbaruesi gjyqësor privat është i detyruar të mos pranojë kërkesën ose të heqë dorë nga ekzekutimi kur ky ka filluar, nëse ai ka marrë dijeni ose duhet të kishte marrë dijeni për ekzistencën e një shkaku, që tregon një konflikt interesi, kur:
a) ka një interes personal, të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me të apo të afërmit e tij, në çështjen për të cilën kërkohet ose ka filluar ekzekutimi;
b) përmbaruesi gjyqësor privat është kujdestar apo përfaqësues i njërës prej palëve në proces ekzekutimi;
c) ai vetë, bashkëshortja ose të afërmit e tij deri në shkallën e dytë janë në konflikt gjyqësor, në marrëdhënie kredie ose huaje me njërën prej palëve në proces ekzekutimi;
ç) përmbaruesi gjyqësor privat është ortak ose aksionar në një shoqëri tjetër, e cila është palë në proces ekzekutimi;
d) ekziston një arsye serioze dhe e mjaftueshme që tregon një situatë konflikti interesi.
Nëse rrethana të tilla vërtetohen te një ortak, aksionar apo administrator i një shoqërie përmbaruese private, kjo shoqëri është e detyruar që të mos pranojë kërkesën apo të heqë dorë nga ekzekutimi, kur ky ka filluar.

Neni 10
Përgjegjësitë e Ministrit të Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë ushtron përgjegjësitë e mëposhtme:
a) jep, pezullon ose heq licencat e përmbaruesve gjyqësorë privatë;
b) kontrollon, nëpërmjet strukturave të Mi nistrisë së Drejtësisë, zbatimin e këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore, lidhur me veprimtarinë e përmbaruesve gjyqësorë privatë;
c) miraton Kodin e Etikës së përmbaruesve gjyqësorë privatë;
ç) fillon procedimin disiplinor ndaj përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe, kur është rasti, merr masa disiplinore;
d) miraton komisionin vlerësues për provimin e kualifikimit të përmbaruesve gjyqësorë privatë;
dh) miraton modelin e kontratës, që do të lidhet midis përmbaruesit gjyqësor privat dhe palës së interesuar;
e) përcakton, në bashkëpunim me Ministrin e Financave, tarifat përkatëse për kryerjen e shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat;
ë) përcakton një të deleguar në mbledhjet e Këshillit Drejtues pa të drejtë vote;
f) organizon provimin e kualifikimit për përmbarues gjyqësor privat.

KREU III
LICENCIMI DHE REGJISTRIMI

Neni 11
Organi licencues

Ministri i Drejtësisë është autoriteti shtetëror, i cili i jep licencën personave që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si përmbarues gjyqësorë privatë, në përputhje me rregullat funksionale dhe organizative të këtij ligji.
Asnjë person nuk mund të fitojë titullin dhe të ushtrojë funksionin e përmbaruesit gjyqësor privat, pa u pajisur më parë me licencën përkatëse nga Ministri i Drejtësisë.

Neni 12
Kushtet për licencimin e përmbaruesit gjyqësor privat

Një person, që kërkon të licencohet si përmbarues gjyqësor privat, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) të ketë arsimin e lartë juridik;
ç) të ketë eksperiencë pune 3 vjet si jurist;
d) të ketë kaluar me sukses provimin e kualifikimit si përmbarues gjyqësor privat;
dh) të mos të jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë.

Neni 13
Provimi i kualifikimit

Provimi i kualifikimit, për ushtrimin e veprimtarisë si përmbarues gjyqësor privat, zhvillohet para një komisioni të caktuar nga Ministri i Drejtësisë.
Përbërja e komisionit, rregullat për funksionimin e tij, modalitetet, procedurat dhe mënyra e zhvillimit të provimit, si dhe tematika e provimit përcaktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

Neni 14
Përjashtimi nga detyrimi i dhënies së provimit të kualifikimit

Përjashtohen nga detyrimi për të dhënë provimin e kualifikimit ata persona, që u është pezulluar licenca e ushtrimit të veprimtarisë, në bazë të nenit 22 të këtij ligji.

Neni 15
Marrja e licencës dhe regjistrimi

Pas zhvillimit të provimit të kualifikimit, lista e kandidatëve fitues shpallet publikisht në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë.
Pas shpalljes së listës, kandidatët fitues regjistrohen, me kërkesën e tyre, në regjistrin e përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe pajisen me licencën përkatëse.

Neni 16
Regjistrimi i shoqërive përmbaruese private

Kur një apo më shumë përmbarues gjyqësorë privatë të licencuar krijojnë një shoqëri tregtare, në përputhje me legjislacionin për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, personi juridik regjistrohet pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Neni 17
Njoftimi i ndryshimit të vendit të ushtrimit të veprimtarisë

Kur përmbaruesi gjyqësor privat apo shoqëritë përmbaruese private ndryshojnë të dhënat, sipas nenit 19 të këtij ligji, duhet të njoftojnë menjëherë shkresërisht Ministrinë e Drejtësisë.
Struktura përgjegjëse pranë Ministrisë së Drejtësisë duhet të pasqyrojë ndryshimet përkatëse në regjistër.

Neni 18
Betimi i përmbaruesit gjyqësor privat

Përmbaruesi gjyqësor privat, para se të fillojë detyrën e tij, betohet përpara Ministrit të Drejtësisë apo personit të autorizuar prej tij, sipas formulës:
“Betohem se detyrat e përmbaruesit gjyqësor privat do t’i kryej në përputhje me ligjin, duke i qëndruar besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, do të ruaj sekretin profesional dhe gjatë veprimtarisë sime do të udhëhiqem nga parimet e profesionalizmit, paanësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut”.

Neni 19
Regjistri i përmbaruesve gjyqësorë privatë

Regjistri i përmbaruesve gjyqësorë privatë krijohet pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Ky regjistër ndahet në dy pjesë.
Në pjesën e parë regjistrohen të dhënat e personave fizikë si më poshtë:
a) identiteti;
b) vendbanimi;
c) numri i licencës;
ç) data e fillimit të veprimtarisë përmbarimore;
d) adresa e vendit, ku zhvillon veprimtarinë përmbarimore.
Në pjesën e dytë regjistrohen të dhënat e personave juridikë si më poshtë:
a) emërtimi i shoqërisë;
b) lloji i shoqërisë;
c) selia e shoqërisë;
ç) emri/emrat e administratorit/administratorëve;
d) emrat e përmbaruesve gjyqësorë privatë, të punësuar në shoqëri.
Kur një përmbarues gjyqësor privat fillon ose shkëput marrëdhëniet e punës me personin juridik, ky i fundit njofton me shkrim strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë. Struktura përgjegjëse është e detyruar të bëjë shënimet përkatëse në regjistër.

Neni 20
Punësimi i përmbaruesve gjyqësorë të palicencuar

Shoqëritë përmbaruese private dhe përmbaruesit gjyqësorë privatë nuk do të caktojnë apo autorizojnë asnjë person, që të veprojë në emër të tyre në një procedurë ekzekutimi, në rast se ky nuk është i licencuar sipas këtij ligji, apo i është hequr licenca.

KREU IV
ÇREGJISTRIMI

Neni 21
Çregjistrimi nga regjistri i profesionit të përmbaruesit gjyqësor privat

Përmbaruesit gjyqësor i hiqet licenca dhe çregjistrohet nga regjistri në rastet kur:
a) heq dorë me kërkesën e tij nga ushtrimi i profesionit të përmbaruesit gjyqësor privat;
b) humbet apo i kufizohet zotësia për të vepruar;
c) dënohet penalisht me një vendim të formës së prerë të gjykatës;
ç) i nënshtrohet procedurës së falimentimit;
d) ndaj tij jepet masa disiplinore e heqjes së licencës;
dh) nuk paraqet kërkesë për rifillimin e veprimtarisë, në rast se licenca është pezulluar.

Neni 22
Pezullimi i veprimtarisë përmbarimore

Kur përmbaruesi gjyqësor privat emërohet apo zgjidhet në detyra shtetërore, administrative, publike, me kërkesën e tij, apo me nismën e Ministrit të Drejtësisë, licenca për ushtrimin e veprimtarisë pezullohet për aq kohë sa zgjat detyra.
Për rifillimin e veprimtarisë përmbarimore, subjekti fizik i drejtohet Zyrës së Regjistrit të përmbaruesve gjyqësorë privatë, e cila, me miratimin e Ministrit të Drejtësisë, brenda 5 ditëve kryen veprimet përkatëse.
Kur me kalimin e një viti nga mbarimi i detyrës, subjekti fizik nuk paraqet kërkesë për rifillimin e veprimtarisë, ai çregjistrohet nga regjistri i profesionit të përmbaruesit gjyqësor privat.

KREU V
ORGANET DREJTUESE DHE KOMPETENCAT E DHOMËS KOMBËTARE
TË PËRMBARUESVE GJYQËSORË PRIVATË

Neni 23
Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë

Përmbaruesit gjyqësorë privatë organizohen në shkallë vendi, nëpërmjet përfaqësimit profesional në Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë është person juridik, që ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga shteti.

Neni 24
Anëtarësimi

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë përbëhet nga përmbaruesit gjyqësorë, të cilët janë pajisur me licencë nga Ministri i Drejtësisë.

Neni 25
Detyrat e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka kompetencat e mëposhtme:
a) siguron zbatimin e kritereve profesionale dhe etike, me të cilat duhet të veprojnë përmbaruesit gjyqësorë privatë, gjatë ushtrimit të funksionit të tyre;
b) nxjerr direktiva, lidhur me funksionimin e veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë;
c) mbikëqyr ushtrimin e profesionit të përmbaruesit gjyqësor privatë;
ç) zgjedh organet drejtuese të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë;
d) harton modelin e kontratës, që do të lidhet midis përmbaruesit gjyqësor privatë dhe palës së interesuar, përpara fillimit të procedurave të ekzekutimit;
dh) cakton kuotat, që duhet të derdhin përmbaruesit gjyqësorë privatë në llogarinë e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë;
e) përfaqëson Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat në marrëdhënie me Ministrinë e Drejtësisë, organet e tjera të administratës shtetërore, organizmat ndërkombëtarë dhe palët e treta.

Neni 26
Organet drejtuese të Dhomës Kombëtare
të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë

Organet drejtuese të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë janë asambleja e përgjithshme dhe këshilli drejtues.

Neni 27
Asambleja e përgjithshme

Organi më i lartë i përfaqësimit dhe vendimmarrjes së Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë është asambleja e përgjithshme.
Asambleja e përgjithshme përbëhet nga të gjithë përmbaruesit gjyqësorë privat, që janë të pajisur me licencë.
Mbledhjet e asamblesë së përgjithshme organizohen kur janë të pranishëm jo më pak se 1/2 e përmbaruesve gjyqësorë privatë.

Neni 28
Kompetencat e asamblesë së përgjithshme

Asambleja e përgjithshme ka këto kompetenca:
a) zgjedh këshillin drejtues të përmbaruesve gjyqësorë privatë, kryetarin, nënkryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm;
b) miraton çdo vit buxhetin e Dhomës së Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë;
c) miraton statutin e ushtrimit të veprimtarisë së përmbaruesit gjyqësor privat;
ç) miraton rregulloren e organizimit të mbledhjeve dhe rregulloren e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit drejtues;
d) miraton Statutin e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë;
dh) çdo akt tjetër që është i nevojshëm për mbarëvajtjen e veprimtarisë së Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat.
Vendimet e asamblesë së përgjithshme merren me shumicë votash.

Neni 29
Këshilli drejtues

Këshilli drejtues përbëhet nga 7 përfaqësues të zgjedhur nga asambleja e përgjithshme.

Neni 30
Kompetencat e këshillit drejtues

Këshilli drejtues ka këto kompetenca:
a) harton Statutin e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë;
b) miraton programet e trajnimit vazhdues të përmbaruesve gjyqësorë privatë;
c) kujdeset për funksionimin normal të përmbaruesve gjyqësorë pri vatë si person juridik apo ortakëri ose shoqëri tregtare;
ç) jep mendime, kur i kërkohet, për projektligje dhe rregullore, që kanë të bëjnë me profesionin e përmbaruesit gjyqësor privat;
d) miraton rregulloren për trajtimin e ankesave dhe për çdo çështje në kompetencë të tij;
dh) bashkërendon dhe përkrah nismat, që kanë si qëllim përmirësimin dhe ngritjen profesionale;
e) thërret mbledhjen e asamblesë së përgjithshme;
ë) bashkëpunon me strukturat drejtuese të Dhomës së Avokatisë dhe Dhomës së Noterisë për probleme, që kanë të bëjnë me çështjet e ekzekutimit.

KREU VI
TE DREJTAT, DETYRAT, PËRGJEGJËSITË DHE MBROJTJA
E VEÇANTË E PËRMBARUESVE GJYQËSORË PRIVATË TË LICENCUAR

Neni 31
Të drejtat e përmbaruesit gjyqësor privat

Përmbaruesi gjyqësor privat ka të drejtat e mëposhtme:
a) të pranojë lirisht kërkesat e subjekteve fizike apo juridike për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me përjashtim të rastit kur konstaton se është në situatën e konfliktit të interesit;
b) të kërkojë, kur e konsideron të nevojshme për veprimtarinë e tij procedurale, çdo informacion, që ka të bëjë me gjendjen pasurore të debitorit apo vendndodhjen e tij, të nevojshëm për procedurat e ekzekutimit, nga institucione shtetërore, persona juridikë apo fizikë, në përputhje me ligjin;
c) të ketë mbështetjen e forcave të rendit, kur e çmon të domosdoshme, gjatë procedurave të ekzekutimit;
ç) të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e lidhur me palën kreditore, kur kjo e fundit nuk përmbush detyrimet e veta;
d) të aplikojë sanksionet e parashikuara në ligj, ndaj subjekteve fizike apo juridike, që pengojnë në mënyrë të paligjshme procedurën e ekzekutimit, në përputhje me nenin 46 të këtij ligji.

Neni 32
Detyrat e përmbaruesit gjyqësor privat

Përmbaruesi gjyqësor privat ka këto detyra:
a) të veprojë me ndershmëri, paanësi, profesionalizëm dhe kurdoherë në interes të palës kërkuese, pa cenuar në mënyrë të paligjshme të drejtat dhe interesat e palës tjetër;
b) të zbatojë me përpikëri dispozitat e Kodit të Procedurës Civile dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore;
c) të kryejë për subjektet fizike ose juridike veprimet e nevojshme, që synojnë realizimin e së drejtës së tyre dhe mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshëm;
ç) të informojë për çdo veprim procedural palët në proces ekzekutimi, si dhe të japë sqarimet e nevojshme për veprimet e kryera;
d) të këshillojë palën kreditore për pasojat juridike, që rrjedhin nga veprimet procedurale, me qëllim që të mos dëmtohen interesat e tyre;
dh) të ruajë sekretin profesional dhe të mos zbulojë të dhëna, që i kanë mësuar gjatë veprimtarisë së tyre profesionale ose nga dokumentet, që i janë vënë në dispozicion nga palët në proces ekzekutimi, përveç kur dhënia e këtij informacioni është detyrim ligjor;
e) të sigurojë pranë një shoqërie sigurimi veprimtarinë e tij profesionale;
ë) të mbajë regjistrin, në përputhje me dokumentacionin standard, të miratuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, ku evidentohen të gjitha aktet dhe veprimet procedurale të kryera gjatë veprimtarisë së ekzekutimit;
f) të derdhë në mënyrë të rregullt detyrimet tatimore;
g) të marrë masat dhe veprimet e nevojshme për ekzekutimin e titullit ekzekutiv, në respekt të dinjitetit njerëzor, duke vënë në balancë nevojat e debitorëve dhe interesat e kreditorëve.

Neni 33
Praktika të ndaluara të përmbaruesit gjyqësor privat

Përmbaruesi gjyqësor privat gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, nuk duhet të kryejë veprime që cenojnë, shqetësojnë apo abuzojnë me subjektet, që u nënshtrohen procedurave të ekzekutimit.

Veçanërisht është e ndaluar:
a) përdorimi i paligjshëm i forcës ndaj subjekteve fizike, që i nënshtrohen ekzekutimit të detyruar apo pasurisë së tyre;
b) kërcënimi fizik apo presioni psikologjik ndaj subjektit, palë në procedurë ekzekutimi;
c) përdorimi i fjalëve të pahijshme, që cenojnë reputacionin apo dinjitetin e subjekteve, që i nënshtrohen ekzekutimit të detyruar;
ç) angazhimi në ndonjë praktikë të ndaluar, ose përdorimi i ndonjë metode të pandershme në mbledhjen e detyrimeve, në kundërshtim me dispozitat ligjore;
d) çdo veprim tjetër me karakter mashtrues, i cili do të komprometonte rëndë besimin e palëve dhe figurën morale të përmbaruesit gjyqësor privat.

Neni 34
Mbrojtja e veçantë e përmbaruesit gjyqësor privat

Kur përmbaruesi gjyqësor privat, gjatë ushtrimit të detyrës së tij ose për shkak të saj i rrezikohet jeta, familja apo prona, shteti i garanton mbrojtje të veçantë. Kushtet dhe mënyra e përfitimit të kësaj mbrojtjeje përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 35
Publiciteti i veprimtarisë

Përmbaruesi gjyqësor privat mund të reklamojë publikisht veprimtarinë e tij, por pa cenuar konkurrencën e ndershme dhe praktikat e ligjshme tregtare.

Neni 36
Konfidencialiteti

Përmbaruesi gjyqësor privat, i cili merr informacionet gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, ruan fshehtësinë e tyre dhe nuk duhet t’ua j apë këto informacione të tretëve, përveç:
a) organeve të rendit publik, prokurorisë ose gjykatës;
b) strukturave të tjera shtetërore, lidhur me çështjet pasurore të debitorëve;
c) përmbaruesve të tjerë, vetëm nëse informacioni është i nevojshëm për procedurat e ekzekutimit;
ç) kreditorit, i cili ka depozituar për ekzekutim një titull ekzekutiv;
d) kur personi, për të cilin kërkohet informacioni, jep pëlqimin.

Neni 37
Llogaria bankare e përmbaruesit gjyqësor privat

Përmbaruesi gjyqësor privat duhet të hapë llogari rrjedhëse bankare, të deklaruar dhe të kryejë, gjatë punës së tij, në këtë llogari të gjitha veprimet financiare, që kanë të bëjnë me procedurat e ekzekutimit.

Neni 38
Dorëzimi i dokumentacionit pas çregjistrimit të përmbaruesit gjyqësor privat

Kur përmbaruesi gjyqësor privat çregjistrohet dhe ka në proces ekzekutimi çështje përmbarimore të papërfunduara, ai detyrohet t’i kthejë gjithë dokumentacionin palës së interesuar, si dhe tarifën e parapaguar për veprimet procedurale të papërfunduara prej tij.
Përmbaruesi gjyqësor privat, pas çregjistrimit detyrohet të dorëzojë në Ministrinë e Drejtësisë dokumentacionin e krijuar për çdo veprim procedural, si dhe vulën e tij.
Rregulla të hollësishme për procedurën dhe afatet e dorëzimit të dokumentacionit përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Drejtësisë.

Neni 39
Vula dhe dokumenti i identifikimit

Përmbaruesi gjyqësor privat ka vulën e vet personale, që përmban emrin e tij ose të shoqërisë dhe vendoset në çdo dokument që ai krijon gjatë veprimtarisë së tij profesionale.
Përmbaruesi gjyqësor privat pajiset me dokument identifikues, të cilin e paraqet në çdo rast të ushtrimit të detyrës.
Dokumenti përdoret vetëm gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj.
Dokumenti i identifikimit duhet të përmbajë emrin, mbiemrin e përmbaruesit gjyqësor privat, stemën e Republikës së Shqipërisë, logon e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, selinë ku do të ushtrojë veprimtarinë përmbaruesi gjyqësor privat, institucionin që e lëshon dhe NIPT-in.
Forma dhe përmbajtja e vulës përcaktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

KREU VII
MARRËDHËNIET ME PALËT NË PROCES EKZEKUTIMI DHE ME TË TRETËT

Neni 40
Marrëdhëniet me palën kreditore

Marrëdhëniet ndërmjet përmbaruesit gjyqësor privat dhe palës kreditore rregullohen mbi bazën e kontratës së lidhur mes tyre. Hollësitë, në lidhje me detyrimet reciproke, përcaktohen në kontratën e lidhur mes përmbaruesit gjyqësor privat dhe kreditorit.
Pala kreditore ka të drejtë të kërkojë nga përmbaruesi gjyqësor privat çdo informacion, lidhur me veprimet procedurale dhe ecurinë e procesit të ekzekutimit.

Neni 41
Marrëdhënia kontraktore

Kur marrëdhëniet kontraktore ndërmjet përmbaruesit gjyqësor privatë dhe palës kreditore zgjidhen nga përmbaruesi, ai i kthen palës kreditore dokumentacionin ligjor, si dhe pjesën e shumës së marrë si parapagim për procedurën e ekzekutimit.
Kur pala kreditore vendos të zgjidhë kontratën, pa shkaqe të arsyeshme, përpara përfundimit të procedurës së ekzekutimit, përmbaruesi gjyqësor i kthen dokumentacionin ligjor palës kreditore, vetëm në rast të përmbushjes së detyrimit për çdo shpenzim të kryer deri në atë çast.

Neni 42
Vlefshmëria e akteve dhe veprimeve procedurale

Aktet dhe veprimet procedurale të kryera nga përmbaruesi gjyqësor privat, përpara çastit të zgjidhjes së kontratës, konsiderohen ligjërisht të vlefshme dhe procesi i mëtejshëm i ekzekutimit nga një përmbarues tjetër gjyqësor privat fillon nga veprimi procedural i mbetur në kohën e ndërprerjes së procesit të ekzekutimit.

Neni 43
Heqja dorë nga procedura e ekzekutimit

Kur përmbaruesi gjyqësor privat vendos të heqë dorë nga vazhdimi i veprimeve procedurale, për shkak të konfliktit të interesit, ai detyrohet të njoftojë 15 ditë përpara palën kreditore. Gjatë kësaj periudhe përmbaruesi gjyqësor privat është i detyruar që të kryejë veprimet procedurale eventuale. Pas kalimit të afatit të sipërpërmendur, përmbaruesi gjyqësor privat i kthen palës kreditore dokumentacionin e lidhur me çështjen, si dhe, kur është rasti, tarifën e parapaguar për procedurën e ekzekutimit.
Neni 44
Marrëdhëniet me palën debitore dhe personin e tretë

Pala debitore, personat e barazuar me të ose personi i tretë detyrohet të lejojë përmbaruesin gjyqësor privat të kryejë të gjitha veprimet e nevojshme, të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, për ekzekutimin e detyrueshëm.
Me fillimin e veprimeve procedurale debitori, me kërkesën e përmbaruesit gjyqësor privat, është i detyruar të deklarojë mbi pasuritë e tij dhe saktësinë e të dhënave të tyre. Ndaj debitorit, që fsheh apo i jep fiktive të dhënat mbi pasuritë e tij, përmbaruesi gjyqësor privat, në zbatim të dispozitave ligjore në fuqi, zbaton sanksionet e parashikuara në ligj.
Pala debitore, personat e barazuar me të ose personi i tretë ka të drejtë të kundërshtojë veprimet e përmbaruesit gjyqësor privat në gjykatë, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. Në këtë rast, përmbaruesi gjyqësor privat thirret në gjykim me cilësinë e palës së paditur.

Neni 45
Përgjegjësitë ndaj palëve në proces ekzekutimi dhe të tretëve

Kur përmbaruesi gjyqësor privat e zhvillon veprimtarinë e tij në kundërshtim me ligjin, mban përgjegjësi për dëmin që u shkakton palëve në proces ekzekutimi, si dhe për dëmin ndaj të tretëve.

Neni 46
Marrëdhëniet me të tretët

Personat fizikë dhe juridikë, privatë dhe shtetërorë, janë të detyruar që t’i japin përmbaruesit gjyqësor privatë të gjithë informacionin e nevojshëm të kërkuar prej tij, lidhur me gjendjen pasurore të debitorit. Ndaj subjekteve fizike apo juridike, që fshehin në mënyrë të qëllimshme të dhënat e kërkuara nga përmbaruesi gjyqësor, ky i fundit është i detyruar të bëjë kallëzim penal, në përputhje me nenin 320 të Kodit Penal.
Në raste të veçanta, përmbaruesi gjyqësor ka të drejtë që të kërkojë ndihmën e Policisë së Shtetit, të institucioneve të tjera shtetërore apo subjekteve private, për të mundësuar procedurat e ekzekutimit. Organet shtetërore ose publike janë të detyruara të ndihmojnë përmbaruesit gjyqësorë privatë në ushtrimin e funksioneve, sipas ligjit, sa herë që kërkohet ndihma e tyre. Ndaj subjekteve fizike ose juridike që, sipas ligjit, janë të detyruara të kryejnë veprime të caktuara, përmbaruesi gjyqësor privat ka të drejtën e zbatimit të sanksioneve të parashikuara në nenin 606 të Kodit të Procedurës Civile.

KREU VIII
TARIFAT

Neni 47
Përcaktimi i tarifave

Masa e tarifës dhe llojet e shërbimeve përmbarimore të tarifuara përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave, pasi merret dhe mendimi i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
Për fillimin e procedurave të ekzekutimit dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat, paguhen tarifat përkatëse, të miratuara me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave.

Neni 48
Tarifa shtesë

Për veprime përmbarimore teknikisht dhe ligjërisht specifike, komplekse, apo që kërkojnë kohë, përmbaruesi gjyqësor privat ka të drejtë të kërkojë pagimin e një tarife shtesë. Kjo tarifë paguhet, sipas rastit, me një këst të vetëm ose me disa këste. Masa e tarifës shtesë dhe llojet e shërbimeve përmbarimore të tarifuara përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave, pasi merret dhe mendimi i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.

Neni 49
Rastet e pakthyeshmërisë së tarifës

Në rastet e ekzekutimeve të pasuksesshme, kur nga përmbaruesi gjyqësor privat janë kryer në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme të gjitha veprimet procedurale, tarifat e parapaguara janë të pakthyeshme.
Kur pala kreditore ka paguar vetëm tarifën e fillimit të procedurës përmbarimore dhe detyrimi përmbushet në mënyrë vullnetare nga pala debitore, brenda afateve ligjore, tarifa e fillimit të procedurës është e pakthyeshme.

KREU IX
PROCEDIMI DISIPLINOR

Neni 50
Fillimi i procedimit

Të drejtën për të nisur procedimin disiplinor ndaj përmbaruesit gjyqësor privatë e ka Ministri i Drejtësisë, me nismën e vet ose sipas ankesës së paraqitur nga palët në proces ekzekutimi.
Procedimi disiplinor kundër përmbaruesit gjyqësor privat mund të fillojë kur konstatohen shkelje të detyrës apo veprime të parregullta gjatë ushtrimit të veprimtarisë së përmbaruesit gjyqësor privat.
Ankimi administrativ te Ministri i Drejtësisë nuk i heq të drejtën ankuesit që të ndjekë rrugën gjyqësore për të rivendosur të drejtën e tij.

Neni 51
Procedura

Për shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj përmbaruesit gjyqësor privat, Ministri i Drejtësisë krijon komisionin disiplinor të përmbaruesve gjyqësorë privatë.
Komisioni disiplinor përbëhet nga:
a) Kryetari i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, ose një përfaqësues i autorizuar prej tij, në cilësinë e kryetarit;
b) Kryetari i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë, në cilësinë e anëtarit;
c) 1 avokat i caktuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve, në cilësinë e anëtarit.
Komisioni disiplinor i përmbaruesve gjyqësorë privatë, brenda dhjetë ditëve pune nga dita e konstatimit të shkeljes, fillon procedimin disiplinor dhe njofton përmbaruesin gjyqësor privat që ka kryer shkeljen, për t’u paraqitur në seancën dëgjimore në ngarkim të tij.
Komisioni disiplinor i përmbaruesve gjyqësorë privatë, pasi ka përfunduar hetimin administrativ dhe vërteton shkeljen e kryer, i paraqet Ministrit të Drejtësisë raportin përfundimtar, së bashku me propozimin për masën disiplinore.

Mënyra e organizimit, funksionimi dhe masa e shpërblimit për anëtarët e komisionit disiplinor, përcaktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë, brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së raportit përfundimtar dhe propozimit për masën disiplinore, merr një nga masat disiplinore, të parashikuara në nenin 54 të këtij ligji.

KREU X
SHKELJET DHE MASAT DISIPLINORE

Neni 52
Shkeljet disiplinore

Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë shkelje disiplinore.
Konsiderohen shkelje nga përmbaruesi gjyqësor privat veprimet ose mosveprimet e mëposhtme:
a) shkelja në mënyrë të përsëritur e rregullave ligjore e nënligjore, që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë së tij;
b) mospërmbushja me faj e veprimeve përmbarimore, që kanë cenuar të drejtën e palëve në proces ekzekutimi;
c) mosrespektimi i dispozitave të kodit të etikës së përmbaruesit gjyqësor privat;
ç) shkelja e besimit të palës kontraktuese, nëpërmjet kryerjes së veprimeve korruptive me palën tjetër, për të mos ekzekutuar apo vonuar ekzekutimin e titullit ekzekutiv;
d) konflikti i interesit në një procedurë ekzekutive;
dh) mosevidentimi në mënyrë të rregullt i të gjitha akteve dhe veprimeve procedurale të kryera gjatë veprimtarisë së ekzekutimit;
e) shkelja e kërkesave të këtij ligji për konfidencialitetin, sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave që merr, si rezultat i ushtrimit të veprimtarisë së vet gjatë procedurës së ekzekutimit;
ë) refuzimi për të mos lejuar strukturat përgjegjëse shtetërore për të ushtruar kontroll ndaj veprimtarisë procedurale të tij.

Neni 53
Njoftimi i masës disiplinore

Urdhri për dhënien e masës disiplinore duhet të jetë i arsyetuar dhe i njoftohet të interesuarit me shkrim jo më vonë se 15 ditë nga data e daljes së urdhrit të Ministrit të Drejtësisë.

Neni 54
Masat disiplinore

Për kryerjen e shkeljeve të parashikuara në nenin 52 të këtij ligji, Ministri i Drejtësisë jep masat disiplinore si më poshtë:
a) për shkeljen e përcaktuar në shkronjat “a”, “b” dhe “ç” heqje të licencës dhe çregjistrimin nga regjistri;
b) për shkeljen e përcaktuar në shkronjat “c”, “d” dhe “dh” me gjobë nga 30 000 deri 50 000 lekë;
c) për shkeljen e përcaktuar në shkronjat “e” dhe “ë” me pezullim të licencës nga tre muaj deri në dy vjet.
Masat disiplinore jepen brenda 6 muajve nga data e konstatimit të shkeljes, por jo më vonë se 3 vjet nga çasti i kryerjes së saj. Në këtë rast parashkrimi i masës fillon pas afateve të përcaktuara.
Masat disiplinore jepen sipas një procedure, e cila garanton të drejtën për t’u informuar, dëgjuar dhe mbrojtur.

Neni 55
E drejta e ankimit

Kundër vendimit të Ministrit të Drejtësisë përmbaruesi gjyqësor privat mund të bëjë ankim në Gjykatën Administrative brenda 45 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.
Vendimi i Ministrit të Drejtësisë, pas kalimit të afatit të ankimit, ose kur lihet në fuqi nga gjykata, evidentohet në regjistrin e përmbaruesve gjyqësorë privatë.

Neni 56
Shlyerja e gjobave

Në rastin e masës disiplinore me gjobë, përmbaruesi gjyqësor privat, brenda 2 muajve, duhet të shlyej masën e gjobës, në të kundërt, ndaj tij zbatohet masa disiplinore e pezullimit të licencës, deri në çastin e shlyerjes së saj.
Përmbaruesi gjyqësor privat, nëse nuk është dakord me masën e gjobës, ka të drejtën e ankimit gjyqësor.

Neni 57
Derdhja e gjobës në Buxhetin e Shtetit

Gjoba e vendosur kundër subjekteve që pengojnë ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë derdhet në Buxhetin e Shtetit.

Neni 58
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5982, datë 29.12.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Bamir Topi